Interi përmbys Barcelonën

Posted on 2:26 AM, under


Giuseppe Meazza ishte arena e superduelit të parë gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve, ndërmjet Interit dhe Barcelonës, që përfundoi me fitoren e zikaltërve me rezultat 3-1.

Në fillim të ndeshjes të dyja skuadrat shfaqën lojë të mbyllur me raste të pakta shënimi. Duhet përmendur se në pjesën më të madhe të ndeshjes, strategjia e Jose Mouronhos në ndaljen e Leo Messit u tregua e suksesshme, pasi argjentinasi nuk arrit ta shfaqë lojën e tij.

Ishte minuta e 19-të momenti i zhbllokimit të rezultatit, kur pas një depërtimi të bukur të Maxwell, Pedro Rodriguez kaloi mysafirët në epërsi.

Mirëpo, pas gjysmë ore lojë, Samuel Eto’o pasoi te Diego Milito dhe ky i fundit e gjeti për mrekulli Wesley Sneijderin, i cili nuk e pati të vështirë ta mposhtte portierin Victor Valdes, dhe me rezultat 1-1 përfundoi pjesa e parë.

Porsa filloi pjesa e dytë (48’), Douglas Maicon shënoi për epërsinë e parë të Nerazzurëve, ndërsa sërish asistues ishte Milito.

Një aksion i treshes Eto’o, Sneijder dhe Milito, u konkretizua nga ky i fundit, i cili shënoi me kokë golin e tij të merituar për rezultatin 3-1 (61’).

Deri në fund të ndeshjes, Blaugranët krijuan presion për të ndryshuar diçka në rezultat, mirëpo e patën të vështirë të thyenin mbrojtjen vendase, ndërsa nga ana tjetër kanë mundur të dënohen nga kundërsulmet e Interit.

Rezultati 3-1 është shumë i favorshëm për Interin për të kaluar në finalen e Madridit, mirëpo nuk duhet harruar se Barcelona është e aftë të bëjë gjithçka në ndeshjen kthyese në Camp Nou, e cila zhvillohet pas një jave.

edit post

0 Reply to "Interi përmbys Barcelonën"

  • Post a Comment